
Programi qeverisë së re, një kopje e të cilit është siguruar nga
gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, nis me parathënien e Edi Ramës i
cili shprehet se është krenar për besimin që një shumicë e pazakonshme
zgjedhësish investuan tek ne “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.
“Me diskutimin dhe miratimin e këtij program në Kuvend – thotë Rama –
nis përballja me realitetin e vështirë të një Shqipërie të lënduar
thellë në trup zemër e mendje nga një rrënim i gjithanshëm”.
“Liri e njerëzve dhe konkurrencë, përgjegjësi e gjithkujt përpara
vendit dhe ligjit, solidaritet me më të dobëtit, do të jenë – thotë Edi
Rama – principet bazë të qeverisjes së re pasi, sic thekson ai – bindja
jonë është e thjeshtë: Shqipëria meriton më shumë”.
Pesë janë kapitujt e detajuar të këtij programi. Integrimi në
Bashkimin Europian, Shqipëria europiane në rajon dhe në botë, shteti i
së drejtës dhe demokratizimi shoqërisë, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet
publike.
1) Në kapitullin për shtetin e së drejtës dhe
demokratizimin e shoqërisë qeveria e re e zotit Rama vjen me ambicien
për rikthimin e Policisë së Shtetit në krye të detyrës për të garantuar
rend dhe qetësi duke kontrolluar territorin, duke ulur dukshëm shkallën e
kriminalitetit, përfshi normalizimin e trafikut rrugor, duke marrë
masat për shmangien e aksidenteve të rënda.